Close

Cilësia

Çfarë është ISO 9001?

Familja e Standardit ISO 9000 është më e njohura ndër standardet e familjes ISO. Standardi ISO 9001 është standard i certifikueshëm dhe më i zbatuari i kësaj familje. Ky standard është zbatuar në më shumë se 1,1 milion organizata në 184 vende të ndryshme (Burimi: “Studimi mbi ISO i Certifikimit të Standardeve të Sistemeve të Menaxhimit 2012” i kryer së fundmi). Standardi ISO 9001 rishikohet në mënyrë të vazhdueshme nga ISO. Versioni aktual është ai i vitit 2015.

ISO 9001 është kthyer në një referencë ndërkombëtare për kërkesat e menaxhimit të cilësisë në marrëdhëniet biznes – biznes. Ai lidhet me “menaxhimin e cilësisë”. Kjo do të thotë se, një organizatë që e zbaton atë garanton se plotëson:

  • cilësinë e kërkuar nga klienti, dhe
  • kërkesat e zbatueshme rregullatore

Ndërkohë që synon të:

  • rrisë kënaqësinë e klientit, dhe
  • arrijë përmirësim të vazhduar të performancës së saj

ISO 9001 është një “standard gjenerik i sistemit të menaxhimit”. “Gjenerik” (i përgjithshëm) do të thotë se i njëjti standard mund të zbatohet:

  • ndaj çdo organizate, e madhe apo e vogël qoftë, ndaj çfarëdo lloj produkti të saj,
  • përfshirë edhe rastin nëse “produkti” i saj mund të jetë një shërbim,
  • në çdo sektor të aktivitetit, dhe
  • nëse është një kompani biznesi, administratë publike, apo një departament qeveritar.

“Sistemi i Menaxhimit” i referohet asaj se çfarë bën organizata për të menaxhuar proceset apo aktivitetet e saj, në mënyrë që produktet apo shërbimet që ajo prodhon të përmbushin objektivat që organizata i ka caktuar vetes, siç mund të jenë:

  • kënaqja e kërkesave për cilësi të klientëve,
  • përmbushja e të gjithë detyrimeve ligjore dhe rregulloreve,
  • përmbushja e objektivave/kërkesave mjedisore.

Çfarë synon ISO 9001?

ISO 9001 ka të bëjë me mënyrën se si një organizatë kryen punën e saj. Me fjalë të tjera, ai lidhet me proceset, dhe jo me produktet – të paktën jo në mënyrë direkte. Por sigurisht, mënyra se si organizata menaxhon proceset e saj ndikon mbi produktin final.

Në rastin e ISO 9001 menaxhimi eficient dhe efektiv i proceseve do të ketë ndikim gjithsesi, pavarësisht faktit nëse gjithshçka është bërë më së miri, për të siguruar se produkti përmbush kërkesat për cilësi të klientit. Filozofia e tij është, kërkesat e sistemit të menaxhimit janë gjenerike. Pavarësisht se çfarë përfaqëson apo bën organizata, nëse ajo dëshiron të ngrejë dhe ketë një sistem të menaxhimit të cilësisë, atëherë një sistem i tillë ka një numër karakteristikash themelore të cilat janë përcaktuar qartë në përputhje me kërkesat e standardit ISO 9001.

Pse duhet të zbatojë ISO 9001 organizata ime?

Ekzistenca e një organizate pa klientë, apo me klientë të pakënaqur, është në rrezik! Për të mbajtur klientët – dhe për më tepër për ti mbajtur ata të kënaqur – produkti juaj (i cili në fakt mund të jetë shërbim) duhet të përmbushë kërkesat e tyre. ISO 9001 ofron një strukturë të provuar dhe testuar tashmë për të ndërmarrë një qasje sistematike për menaxhimin e proceseve të biznesit tuaj (aktiviteteve të organizatës tuaj) kështu ata në mënyrë të vazhdueshme prodhojnë produkte që përputhen me pritshmëritë për cilësi të klientit. Kjo do të thotë, të keni vazhdimisht klientë të kënaqur!

Si funksionon modeli i ISO 9001?

Kërkesat për një sistem të cilësisë janë standardizuar – por shumë prej nesh parapëlqejnë të mendojnë se biznesi jonë është unik. Në këtë mënyrë, si mundet ISO 9001 të mundësojë dhe ketë hapësirë për diversitet, ndaj një kompanie të vogël apo të mesme, dhe nga ana tjetër ndaj një kompanie prodhuese shumëkombëshe, apo ato të shërbimeve publike, apo njësive adminsitrative qeveritare?

Përgjigjja është se ISO 9001 parashtron se çfarë kërkesash duhet të përmbushë sistemi juaj i cilësisë, por nuk dikton se si ato duhet të përmbushen në organizatën tuaj – gjë e cila lejon për fleksibilitet të madh për zbatim në sektorë të ndryshëm të biznesit dhe kulturave të bizneseve, sikundër edhe në kultura të ndryshme kombëtare.

Çfarë ndodh nëse organizata ime zbaton ISO 9001?

Në këtë rast, vetë organizata duhet të auditojë sistemin e cilësisë së saj – të bazuar në ISO 9001, për të verifikuar se ajo po menaxhon në mënyrë efektive proceset e saj – apo e thënë ndryshe, për të kontrolluar se ka nën kontroll të plotë të gjitha aktivitetet e saj.

Përveç kësaj, organizata mund të ftojë klientët e saj për të audituar sistemin e cilësisë në mënyrë që tu mundësojë atyre bindjen se organizata është e aftë të ofrojë produkte apo shërbime të cilat do të përmbushin kërkesat e saj.

Së fundmi, organizata mund të kontraktojë shërbimet e një trupe të pavarur të certifikimit të sistemeve të cilësisë, për të përftuar një certifikatë konformiteti për ISO 9001. Pika e fundit ka rezultuar tepër popullore në botën e tregut për shkak të besueshmërisë së perceptuar ndaj një vlerësuesi të pavarur. Në këtë mënyrë, organizata mund të shmangë auditet e shumëfishta nga klientët e saj, apo të reduktojë frekuencën apo kohëzgjatjen e auditeve nga klientët. Certifikata mund të shërbejë edhe si një referencë biznesi midis organizatës dhe klientëve potencialë të saj, veçanërisht në rastet kur furnitorët dhe klinetët janë të rinj për njëri-tjetrin, apo të vendosur larg gjeografikisht, sikundër ndodh në kontekstin e një biznesi eksporti.

Për më shumë informacion, lutemi të vizitoni faqen www.iso.orgqë është edhe faqja zyrtare me burimet më të përditësuara mbi standardet.